Me cirrozë të mëlçisë kuptojmë:
- Shkatërrim të indit dhe të strukturës së enëve të gjakut të mëlçisë.
- Zëvendësim të indit normal të mëlçisë me ind lidhor (fibrozë) dhe shfaqjen e masave rigjeneruese si xhunga që i japin mëlçisë formë të ngjashme me një patate.
- Dëmtim të furnizimit me gjak të mëlçisë duke shkaktuar atë që quhet hipertension portal (rritje e presionit të gjakut në venën porta, për shkak të rezistencës që ka rryma e gjakut nga fibroza e mëlçisë). Vena porta është vena që grumbullon gjakun nga zorra e hollë dhe nga zorra e trashë, gjak i pasur me proteina, yndyrna, karbohidrate, vitamina dhe kripëra minerale, gjak të cilin kjo venë e çon në mëlçi për t’u filtruar përpara se ky gjak të futet në qarkullimin e gjakut dhe të shkojë në zemër.
- Humbje të funksioneve me rëndësi jetike të mëlçisë.
Cirroza është stadi (faza) i fundit i sëmundjeve kronike të mëlçisë. Ajo zakonisht zhvillohet në një periudhë kohore mesatare prej 10 vitesh dhe në raste shumë të rralla kjo sëmundje mund të zhvillohet për një periudhë të shkurtër (me periudhë të shkurtër nënkuptojmë 1 ose 2 vite).
Disa nga shkaqet kryesore të kësaj sëmundjeje mund të jenë:
- Abuzimi me pijet alkoolike (40% në vendet e industrializuara).
- Viruset e hepatitit B, C, D (55% në vendet e industrializuara).
- Shkaqe të tjera (rreth 5%).
Ankesat:
- Lodhje, pafuqi trupore, kufizim i aktivitetit fizik.
- Ndjesi e ngopjes ose e shtypjes në pjesën e sipërme të barkut.
- Meteorizëm (fryrje e barkut).
- Ndjesi e të vjellit.
- Rënie në peshë.
- Spider naevi (nishane të kuqe në lëkurë me pamjen e jashtme si të merimangës).
- Skuqje të pëllëmbëve të duarve dhe të shuajve të këmbëve (eritema palmare dhe plantare), çarje të cepave të buzëve.
- Ngjyrim i errët i lëkurës tek të sëmurët me hematokromatozë (sëmundje nga mbingarkesa e gjakut me hekur).
- Shenja neurologjike tek të sëmurët me morbus wilson (sëmundje nga mbingarkesa e gjakut me bakër).
- Shqetësime që lidhen me hormonet:
- Te meshkujt: humbje e qimeve në trup, shqetësime që lidhen me potencën seksuale, atrofi (zvogëlim të përmasave) të testikujve, zmadhim i gjoksit (gjinekomasti).
- Te femrat: çrregullime të ciklit menstrual.
- Simptoma që lidhen me komplikacionet e cirrozës:
- Zverdhje.
- Prirje për hemorragji.
- Kaheksi (dobësim i theksuar).
- Pasojat e hipertensionit portal (gjakrrjedhje nga varicet).
- Ascit (grumbullimi i ujit në bark).
- Edema (ënjtje të trupit).
- Zmadhim i shpretkës etj.
- Kanceri i mëlçisë.
Diagnoza:
- Vizitë gastro-gepatologjike.
- Analiza laboratorike:
- Gjak komplet.
- Albuminemi.
- Indeksi i protrombinës/INR.
- Bilirubinë totale, bilirubinë direkte.
- Lipidograma.
- SGOT, SGPT, GGT, AFP.
- AgHbs, AntiHCV.
- Markerat tumoralë si AFP, CEA, Ca 19-9 tek ata të sëmurë që vuajnë prej vitesh nga kjo sëmundje.
- Ekografi abdominale.
- Elastografia ( shmangia me eko abdominale të elasticitetit të indit të mëlçisë).
- CT abdominal (skaneri abdominal).
- Laparoskopi (pamja me sondë e hapësirës së brendshme të barkut, nëpërmjet “murit” të barkut).
Trajtimi:
1.Masa të përgjithshme:
- Ndërprerje e konsumit të alkoolit.
- Ndërprerje e medikamenteve që dëmtojnë mëlçinë (acetaminophene – p.sh. paracetamol).
- Konsum i ekuilibruar i kalorive dhe proteinave.
- Marrje e suplementeve me vitamina sipas gjykimit të mjekut.
2.Trajtimi i sëmundjes bazë:
- Terapi me medikamente (antisupresivë) në rastin e hepatitit autoimun.
- Terapi me medikamente (antivirale) në rastin e hepatitit kronik viral.
- Heqje e hekurit të tepërt nga organizmi në rastin e hemokromatozës (aderlas ose chelator-terapi).
- Heqje e bakrit të tepërt nga organizmi në rastin e morbus wilson. (trientinë ose D-penicilamin).
3. Trajtim i komplikacioneve (hemorragjisë nga varicet, prej ascitit, encefalopatisë hepatike etj).
4.Transplant i mëlçisë.
Prognoza e cirrozës hepatike varet nga:
- Shkaku i cirrozës së mëlçisë.
- Komplikacionet.
- Stadi i cirrozës së mëlçisë.
Shkaqet më të shpeshta të vdekjes nga kjo sëmundje janë:
- Insuficienca hepatike dhe/ose hemorragjia nga varicet.
- Kanceri (karcinoma hepatoqelizore), në stad më të vonshëm.
Duhet thënë se cirroza hepatike është sëmundje progresive, e pashërueshme. Mjekimi ka për synim të parandalojë komplikacionet, por shërim të plotë të sëmundjes nuk ka.
Parandalimi:
- Të sëmurët që janë mbartës të virusit të hepatitit B duhet rregullisht, të paktën një herë në vit, të bëjnë një vizitë gastro-hepatologjike. edhe pa pasur ankesa.
- Disa masa të tjera parandaluese që mund të merren janë:
- Ndalimi i konsumit të rregullt të alkoolit.
- Vaksinimi për hepatitin B.
- Shmangia e ndërhyrjeve kirurgjikale në klinika të palincensuara.
- Marrja e masave për të kryer marrëdhënie seksuale të mbrojtura.
- Shmangia e marrjes pa kriter i medikamenteve që dëmtojnë mëlçinë (p.sh. paracetamoli).
- Shmangia e punimit me lëndë helmuese në mjedise të paajrosura mirë.
- Kryerja e një kontrolli rutinë (check-up) mjekësor, me analiza instrumentale dhe laboratorike, edhe pa pasur shqetësime, sepse mund të ndihmojë në parandalimin ose kapjen në stade fillestare të sëmundjeve të ndryshme të mëlçisë. Ky kontroll mund të përfshijë:
- Bilirubinë direkte, bilirubinë totale, SGOT, SGPT, ALP, GGT.
- Lipidogramë (Analiza e yndyrnave në gjak).
- Ekografi abdominale.
- AgHbs, AntiHCV (testet e hepatitit B dhe C).
KUJDES! Teksti në këtë faqe është shkurtuar dhe thjeshtësuar për t'u bërë më i kuptueshem nga pacienti mesatar. Ai ka si qëllim informimin e publikut dhe nuk duhet në asnjë mënyrë të zëvendësojë konsultat mjekësore të specializuara.