Ekografia Kardiake (Eko e Zemrës) 🫀💻


Ekografia Kardiake (Eko e Zemrës) 🫀💻

Ekografia kardiake, e njohur edhe si eko e zemrës, është një ekzaminim imazherik që përdor valët me ultratinguj për të krijuar pamje në kohë reale të zemrës. Ajo përdoret gjerësisht për të vlerësuar strukturën dhe funksionin e zemrës, pa përdorur rrezatim.

Ekografia kardiake është një ekzaminim i sigurt, jo-invaziv në shumicën e rasteve dhe përbën një nga bazat e diagnostikimit kardiologjik. ✅

Ekografia Kardiake

Çfarë është ekografia kardiake?

Gjatë ekografisë kardiake, mjeku përdor një sondë që transmeton valë zanore dhe krijon imazhe të detajuara të zemrës në lëvizje.

Ky ekzaminim lejon vlerësimin e:

  • Madhësisë dhe formës së zemrës.
  • Funksionit të muskulit kardiak.
  • Valvulave të zemrës.
  • Qarkullimit të gjakut brenda zemrës.
  • Pranisë së lëngut rreth zemrës.

Në varësi të nevojës, ekografia mund të shoqërohet edhe me Doppler, për të analizuar rrjedhën e gjakut nëpër valvula dhe enë.


Ekografia kardiake trans-torakale (TTE)

Ekografia kardiake trans-torakale (TTE) është forma më e zakonshme dhe standarde e ekografisë kardiake.
Në praktikën e përditshme, kur flitet për “eko zemre”, zakonisht bëhet fjalë për këtë ekzaminim.

Ekografia kardiake (TTE) kryhet duke vendosur sondën me ultratinguj mbi murin e kraharorit dhe duke e rrëshqitur atë për të kapur imazhe sa më të mira. Ky ekzaminim është jo-invaziv, pa rrezatim, nuk ka dhimbje dhe është i sigurtë për shumicën e pacientëve.

Me anë të ekografisë kardiake, mjeku mund të:

  • Vlerësojë funksionin e përgjithshëm të zemrës.
  • Analizojë valvulat kardiake.
  • Masë aftësinë e zemrës për të pompuar gjak dhe funksionin diastolik.
  • Vlerësojë trashjen ose dobësimin e muskulit të zemrës.
  • Ndjekë në kohë pacientë me sëmundje kardiake.

Fakt praktik 🩺
Ekografia kardiake trans-torakale (TTE) është zakonisht ekzaminimi i parë që përdoret për vlerësimin e zemrës dhe në shumicën e rasteve është e mjaftueshme për vendosjen e diagnozës.


Ekografia kardiake trans-ezofageale (TEE)

Ekografia kardiake trans-ezofageale (TEE) është një metodë më e specializuar e ekografisë kardiake, që përdoret kur nevojitet një pamje më e detajuar e strukturave të zemrës.

Gjatë këtij ekzaminimi, një sondë e hollë futet përmes ezofagut, i cili ndodhet shumë pranë zemrës. Kjo lejon marrjen e imazheve me rezolucion më të lartë, krahasuar me TTE.

Ekografia kardiake trans-ezofageale (TEE) mund të rekomandohet në raste të tilla si:

  • Dyshim për trombe intra-kardiake dhe/ose masa të tjera (si p.sh. ato tumorale).
  • Vlerësim i detajuar i valvulave të zemrës.
  • Dyshim për infeksione të valvulave (endokardit) ose vegjetacion.
  • Vlerësim i defekteve kongenitale.
  • Situata ku TTE nuk jep informacion të mjaftueshëm.

Ekografia kardiake trans-ezofageale është një ekzaminim invaziv dhe kryhet vetëm në raste të përzgjedhura, sipas vlerësimit të mjekut.


Cili është ndryshimi midis TTE dhe TEE?

  • Ekografia kardiake trans-torakale (TTE) kryhet nga jashtë, mbi kraharor, është jo-invazive dhe përdoret si ekzaminim standard.
  • Ekografia kardiake trans-ezofageale (TEE) kryhet përmes ezofagut, është invazive, por ofron imazhe më të detajuara.

Në praktikë, TTE është zgjedhja e parë, ndërsa TEE përdoret në pacientë specifikë me patologji të cilat kërkojnë informacion më të detajuar.

Kufizim ⚠️
Në disa raste, për shkak të anatomisë së kraharorit, sëmundjeve pulmonare ose kushteve të tjera, pamja e marrë me ekografi trans-torakale (TTE) mund të jetë e kufizuar. Në këto situata, mjeku mund të rekomandojë ekografi trans-ezofageale (TEE).


Sa kohë zgjat?

Ekografia kardiake trans-torakale (TTE)
Vetëm ekzaminimi zgjat rreth 15 deri në 20 minuta. Bashkë me përgatitjen, konsultën me mjekun, shqyrtimin e rezultateve, përgatitjen e raportit, konkluzionin por dhe vonesat e mundshme, planifikoni rreth 1 orë kohë totale nga momenti që hyni në klinikë dhe deri në momentin që do të dilni prej saj.

Ekografia kardiake trans-ezofageale (TEE)
mund të zgjasë deri në 30 minuta, por për të njëjtat arsye si më lart, duhet të planifikoni rreth 1 orë kohë totale nga momenti që hyni në klinikë dhe deri në momentin që do të dilni.


A është e dhimbshme?

Ekografia kardiake trans-torakale (TTE) nuk është e dhimbshme dhe tolerohet shumë mirë. Mund të ndjeni vetëm pak presion kur sonda kalon mbi kraharor, por përgjithësisht procedura është e rehatshme.

Ekografia kardiake trans-ezofageale (TEE) mund të shkaktojë parehati të lehtë, por mund të kryhet edhe nën sedacion sipas protokolleve të caktuara dhe rasteve konkrete.


Si të përgatiteni për ekografi kardiake?

Për ekografinë kardiake trans-torakale (TTE), zakonisht nuk nevojitet përgatitje e veçantë, përveç veshjes, e cila është mirë të jetë me rroba të lirshme.

Për ekografinë kardiake trans-ezofageale (TEE), mjeku do t’ju japë udhëzime specifike të tilla si:

  • Mos hani ushqim për të paktën 6 orë para ekzaminimit.
  • Mos pini lëngje për të paktën 4 orë para ekzaminimit.
  • Informoni mjekun për çdo medikament që merrni.
  • Nëse përdoret sedacion, duhet të shoqëroheni nga një person pas procedurës.

Pyetje të shpeshta


A ka rrezatim ekografia kardiake?
Jo. Ekografia kardiake por edhe ekografia në përgjithësi nuk ka rrezatim. Pajisjet ekografike përdorin teknologji me ultratinguj.

Kur i marr rezultatet?
Rezultatet e ekografisë kardiake dalin menjëherë pas ekzaminimit.

A është ekografia kardiake e rrezikshme?
Ekografia kardiake trans-torakale është shumë e sigurt për shkak se është një ekzaminim jo-invaziv.

Ekografia kardiake trans-ezofageale kryhet vetëm kur është e nevojshme dhe në kushte të kontrolluara. Ajo ka një rrezik më të lartë për komplikacione pasi është një ekzaminim invaziv. Rreziqet kryesore përfshijnë:

  • Perforacioni i ezofagut – shumë i rrallë (1 në 10‘000 raste).
  • Sedacioni, nëse do të aplikohet.

Ku kryhet ekografia kardiake?
Ekografia kardiake kryhet në Klinika Kajo në Tiranë, pranë Pallatit të Sportit Asllan Rusi. Për më tepër informacion rreth lokacionit shikoni faqen e kontaktit.


Kush e kryen ekografinë kardiake në Klinika Kajo?

Ekografia kardiake kryhet nga mjekë me përvojë në imazheri diagnostike, duke ndjekur protokolle standarde dhe duke përdorur pajisje moderne me rezolucion të lartë.


Rezervoni ekografinë kardiake në Klinika Kajo

Rezervoni ekografinë kardiake (eko e zemrës) në Klinika Kajo për një vlerësim të saktë dhe profesional të shëndetit tuaj kardiovaskular. 📅

Rezervoni tani👉


📌 Rishikuar nga Prof. Dr. Efrosina Kajo, Kardiologe, Klinika Kajo