Sëmundja Ishemike e Zemrës dhe Infarkti Akut i Miokardit


Sëmundja Ishemike e Zemrës dhe Infarkti Akut i Miokardit

Çfarë është sëmundja ishemike e zemrës?

Sëmundja ishemike e zemrës është një nga sëmundjet kardiovaskulare më të shpeshta dhe një nga shkaqet kryesore të vdekshmërisë në mbarë botën. Ajo ndodh kur qarkullimi i gjakut drejt muskulit të zemrës reduktohet si pasojë e ngushtimit ose bllokimit të arterieve koronare.

Muskuli i zemrës ka nevojë për furnizim të vazhdueshëm me oksigjen dhe lëndë ushqyese për të funksionuar normalisht. Kur arteriet koronare ngushtohen, zemra nuk furnizohet mjaftueshëm me gjak, sidomos gjatë aktivitetit fizik ose stresit emocional. Kjo gjendje quhet ishemi e miokardit.

Në fazat e hershme, pacienti mund të përjetojë vetëm dhimbje ose rëndesë në kraharor gjatë sforcimit fizik. Megjithatë, me progresimin e sëmundjes dhe rritjen e bllokimit të arterieve, rreziku për komplikacione serioze rritet ndjeshëm, veçanërisht për infarkt akut të miokardit (atak në zemër).

Diagram që paraqet anatominë e atakut kardiak, duke krahasuar zemrën e shëndoshë me zemrën gjatë infarktit, ku arteriet koronare bllokohen nga pllaka aterosklerotike dhe trombi, duke shkaktuar dëmtim të muskulit të zemrës.

Si furnizohet zemra me gjak?

Zemra furnizohet me gjak përmes arterieve koronare, të cilat formojnë një rrjet vaskular të njohur si “pema koronare”. Këto arterie ndodhen mbi sipërfaqen e zemrës dhe degëzohen në enë më të vogla që furnizojnë zona specifike të muskulit të zemrës.

Ekzistojnë dy arterie kryesore koronare:

  • Arteria koronare e majtë.
  • Arteria koronare e djathtë.

Arteria koronare e majtë ndahet më tej në degë të rëndësishme që furnizojnë pjesën më të madhe të barkushes së majtë, ndërsa arteria koronare e djathtë furnizon pjesë të tjera të zemrës dhe sistemit elektrik kardiak. Arteriet koronare kanë një diametër relativisht të vogël dhe për këtë arsye edhe ngushtimet e moderuara mund të ndikojnë ndjeshëm në qarkullimin e gjakut.

Bllokimet koronare mund të jenë:

  • Bllokim i pjesshëm – i cili redukton qarkullimin e gjakut dhe shkakton ishemi të miokardit. Kjo zakonisht shfaqet me dhimbje kraharori gjatë aktivitetit fizik ose stresit.
  • Bllokim i plotë – i cili ndërpret plotësisht furnizimin me gjak të një pjese të muskulit të zemrës. Si pasojë, qelizat e miokardit fillojnë të dëmtohen dhe të vdesin, duke shkaktuar infarkt akut të miokardit.

Si zhvillohet sëmundja ishemike e zemrës?

Në shumicën e rasteve, sëmundja ishemike e zemrës zhvillohet gradualisht për shkak të aterosklerozës së arterieve koronare. Në muret e arterieve fillojnë të grumbullohen kolesterol, yndyrna dhe substanca inflamatore, duke formuar pllakëza aterosklerotike.

Me kalimin e kohës:

  • Arteriet ngushtohen gradualisht.
  • Rrjedhja e gjakut drejt zemrës reduktohet.
  • Zemra furnizohet më pak me oksigjen.

Në fazat fillestare, simptomat mund të shfaqen vetëm gjatë sforcimit fizik, kur nevojat e zemrës për oksigjen rriten. Me progresimin e stenozës koronare, simptomat mund të shfaqen edhe në pushim. Një nga momentet më të rrezikshme ndodh kur pllakëza aterosklerotike çahet. Organizmi reagon duke formuar një tromb (mpiksje gjaku), i cili mund të bllokojë plotësisht arterien koronare dhe të shkaktojë infarkt akut të miokardit.


Cilët janë faktorët kryesorë të rrezikut?

Zhvillimi i sëmundjes ishemike të zemrës lidhet ngushtë me faktorë që dëmtojnë gradualisht arteriet koronare dhe favorizojnë procesin e aterosklerozës. Në shumicën e rasteve, sëmundja nuk shkaktohet nga një faktor i vetëm, por nga kombinimi i disa faktorëve të rrezikut që veprojnë për vite me radhë. Faktorët kryesorë të rrezikut përfshijnë:

  • Kolesteroli i lartë - nivelet e larta të LDL-kolesterolit (“kolesteroli i keq”) favorizojnë depozitimin e yndyrnave në muret e arterieve koronare. Me kalimin e kohës, këto depozitime formojnë pllakëza aterosklerotike që ngushtojnë arteriet dhe reduktojnë rrjedhjen e gjakut drejt zemrës.
  • Hipertensioni arterial - tensioni i lartë dëmton vazhdimisht murin e arterieve dhe përshpejton procesin aterosklerotik. Zemra detyrohet të punojë me ngarkesë më të madhe, duke rritur rrezikun për komplikacione koronare dhe infarkt në zemër.
  • Diabeti - diabeti shoqërohet me dëmtim të enëve të gjakut dhe rritje të inflamacionit vaskular. Personat me diabet kanë rrezik më të lartë për ngushtim të arterieve koronare dhe shpesh zhvillojnë forma më agresive të sëmundjes ishemike të zemrës.
  • Duhanpirja - substancat toksike të duhanit dëmtojnë drejtpërdrejt arteriet, favorizojnë formimin e trombeve dhe reduktojnë furnizimin me oksigjen të zemrës.
  • Mbipesha dhe obeziteti - pesha e tepërt trupore lidhet shpesh me hipertensionin, diabetin dhe çrregullimet e kolesterolit.
  • Jeta sedentare - mungesa e aktivitetit fizik ndikon negativisht në metabolizmin e yndyrnave, kontrollin e tensionit arterial dhe peshën trupore.
  • Stresi kronik - stresi emocional afatgjatë mund të ndikojë negativisht në tensionin arterial, ritmin e zemrës dhe stilin e jetesës.
  • Historia familjare me sëmundje kardiovaskulare - personat që kanë familjarë me sëmundje koronare ose infarkt në zemër kanë predispozitë më të lartë gjenetike për zhvillimin e këtyre problemeve.
  • Mosha e avancuar - me kalimin e viteve, arteriet humbasin elasticitetin dhe bëhen më të ngurta.

Prania e disa faktorëve të rrezikut njëkohësisht përshpejton procesin aterosklerotik dhe rrit ndjeshëm mundësinë për zhvillimin e komplikacioneve serioze, veçanërisht infarktit akut të miokardit.


Cilat janë simptomat e sëmundjes ishemike të zemrës?

Simptoma më karakteristike e sëmundjes ishemike të zemrës është dhimbja në kraharor, e njohur si anginë. Kjo dhimbje shfaqet kur muskuli i zemrës nuk furnizohet mjaftueshëm me oksigjen për shkak të reduktimit të qarkullimit të gjakut në arteriet koronare. Pacientët zakonisht e përshkruajnë dhimbjen si:

  • Rëndesë në kraharor,
  • Presion ose shtrëngim,
  • Ndjesi djegieje,
  • “Peshë” mbi kraharor.

Dhimbja zakonisht lokalizohet në pjesën qendrore të kraharorit, por mund të përhapet edhe në:

  • Nofull,
  • Qafë,
  • Shpatull,
  • Krahun e majtë,
  • Shpinë,
  • Pjesën e sipërme të barkut (epigastër).

Në shumë raste, simptomat shfaqen gjatë aktivitetit fizik, ecjes së shpejtë, ngjitjes së shkallëve ose stresit emocional, kur nevojat e zemrës për oksigjen rriten. Në fazat më të avancuara të sëmundjes, simptomat mund të shfaqen edhe në pushim. Përveç dhimbjes në kraharor, pacientët mund të përjetojnë edhe:

  • Vështirësi në frymëmarrje.
  • Lodhje të shpejtë ose ulje të tolerancës fizike.
  • Djersë të ftohta.
  • Marrje mendsh ose ndjesi dobësie.
  • Nauze ose të vjella.
  • Palpitacione ose ndjesi rrahjesh të çrregullta të zemrës.

Tek një kategori e caktuar pacientësh si femrat, të moshuarit apo diabetikët, simptomat mund të jenë më pak tipike dhe sëmundja mund të shfaqet kryesisht me:

  • Lodhje të pazakontë,
  • Vështirësi në frymëmarrje,
  • Dobësi të përgjithshme,
  • Parehati të lehtë në kraharor.

Në disa raste, infarkti akut i miokardit mund të ndodhë edhe pa dhimbje të fortë tipike në kraharor, fenomen i njohur si “infarkt i heshtur”, veçanërisht tek pacientët me diabet.


Çfarë është infarkti akut i miokardit?

Infarkti akut i miokardit ndodh kur një arterie koronare bllokohet plotësisht dhe furnizimi me gjak i një pjese të zemrës ndërpritet papritur. Si pasojë e kësaj:

  • Qelizat e muskulit të zemrës fillojnë të vdesin.
  • Funksioni pompues i zemrës dëmtohet.
  • Mund të shfaqen komplikacione serioze ose fatale.

Simptomat e infarktit zakonisht përfshijnë:

  • Dhimbje shumë të fortë në kraharor.
  • Vështirësi në frymëmarrje.
  • Djersë të ftohta.
  • Ankth ose ndjesi frike.
  • Marrje mendsh ose humbje të vetëdijes.

Dhimbja zakonisht zgjat më shumë se 20–30 minuta dhe nuk qetësohet me pushim.

Kujdes!!! Infarkti akut i miokardit është një urgjencë mjekësore dhe kërkon trajtim të menjëhershëm për të reduktuar dëmtimin e zemrës dhe rrezikun për komplikacione afatgjata.


Si diagnostikohet sëmundja ishemike e zemrës?

Diagnostikimi bazohet në kombinimin e simptomave, ekzaminimit klinik dhe testeve diagnostike që vlerësojnë funksionin dhe qarkullimin e zemrës. Vizita kardiologjike është hapi i parë dhe kryesor nga ku fillon procesi diagnostik. Ekzaminimet kryesore përfshijnë:

  • EKG (Elektrokardiograma) - regjistron aktivitetin elektrik të zemrës dhe ndihmon në identifikimin e ishemisë ose infarktit.
  • Ekografia kardiake (TTE) - ekografia e zemrës vlerëson funksionin pompues të zemrës dhe lëvizjen e mureve të saj.
  • Prova ushtrimore - analizon reagimin e zemrës gjatë aktivitetit fizik dhe ndihmon në identifikimin e problemeve të qarkullimit koronar.
  • Skaner CT ose Rezonance magnetike e koronareve - japin informacion të detajuar mbi arteriet koronare dhe dëmtimet e mundshme të zemrës.
  • Koronarografia - konsiderohet standardi i artë për diagnostikimin e sëmundjes koronare. Një kateter injekton kontrast në arteriet koronare për të identifikuar lokalizimin dhe shkallën e bllokimit.

Si trajtohet sëmundja ishemike e zemrës?

Trajtimi varet nga shkalla e bllokimit koronar, simptomat dhe rreziku individual i pacientit.

Trajtimi medikamentoz

Në rastet më të lehta ose të moderuara, trajtimi mund të përfshijë:

  • Antiagregantë (hollues gjaku).
  • Statina për uljen e kolesterolit.
  • Medikamente për tensionin arterial.
  • Medikamente për kontrollin e ritmit dhe ngarkesës së zemrës.

Ndryshimi i stilit të jetesës është një pjesë thelbësore e trajtimit:

  • Ndërprerja e duhanit.
  • Dieta e shëndetshme.
  • Aktiviteti fizik.
  • Kontrolli i diabetit dhe peshës trupore.

Ndërhyrja koronare perkutane (PCI) ose vendosje e stent-ëve
Kur bllokimi është i rëndësishëm, arteria mund të zgjerohet përmes angioplastikës me balon dhe më pas të vendoset një stent (në gjuhën popullore shpesh quhet “unazë”) për të mbajtur arterien të hapur dhe për të rivendosur qarkullimin normal të gjakut.

Bypass i arterieve koronare (CABG)
Në pacientët me bllokime të shumta ose komplekse mund të nevojitet kirurgjia bypass. Gjatë operacionit krijohen rrugë të reja qarkullimi duke përdorur vena ose arterie nga vetë trupi i pacientit.


Kontrolli pas trajtimit

Pacientët me sëmundje koronare kanë nevojë për ndjekje të vazhdueshme kardiologjike edhe pas trajtimit. Kontrollet periodike ndihmojnë në:

  • Monitorimin e funksionit të zemrës.
  • Kontrollin e faktorëve të rrezikut.
  • Vlerësimin e stenteve ose bypass-it.
  • Parandalimin e komplikacioneve të reja.

Ekzaminime si EKG, eko e zemrës dhe prova ushtrimore mund të përsëriten periodikisht sipas rekomandimit të kardiologut.


A mund të parandalohet sëmundja ishemike e zemrës?

Në shumë raste, po. Kontrolli i hershëm i faktorëve të rrezikut dhe ndjekja e një stili jetese të shëndetshëm mund të reduktojnë ndjeshëm rrezikun për zhvillimin e sëmundjes koronare dhe infarktit akut të miokardit. Rekomandimet përfshijnë:

  • Kontroll periodik kardiologjik.
  • Kontroll i kolesterolit dhe glukozës në gjak.
  • Aktivitet fizik i rregullt.
  • Dietë e balancuar.
  • Mbajtje e peshës normale.
  • Shmangie e duhanit dhe alkoolit të tepërt.
  • Menaxhim i stresit kronik.

Personat me histori familjare të sëmundjeve të zemrës ose me faktorë të shumtë rreziku duhet të kryejnë kontrolle më të rregullta kardiovaskulare.


Rëndësia e diagnostikimit dhe trajtimit në kohë

Sëmundja ishemike e zemrës dhe infarkti akut i miokardit janë ndër shkaqet kryesore të komplikacioneve serioze kardiovaskulare dhe mund të zhvillohen për vite me radhë në mënyrë të heshtur.

Diagnostikimi i hershëm, kontrolli i faktorëve të rrezikut dhe trajtimi në kohë kanë një rol kyç në parandalimin e dëmtimeve të zemrës dhe përmirësimin e prognozës afatgjatë.

Nëse shfaqen simptoma si dhimbje kraharori, vështirësi në frymëmarrje ose lodhje e pashpjegueshme, kërkimi i menjëhershëm i ndihmës mjekësore është thelbësor.

📅 Rezervoni një konsultë kardiologjike
🩺 Informohuni mbi programet e kontrollit kardiovaskular


📌 Rishikuar nga Prof. Dr. Efrosina (Nina) Kajo, Kardiologe, Ekografiste, Klinika Kajo



KUJDES! Teksti në këtë faqe është shkurtuar dhe thjeshtësuar për t'u bërë më i kuptueshem nga pacienti mesatar. Ai ka si qëllim informimin e publikut dhe nuk duhet në asnjë mënyrë të zëvendësojë konsultat mjekësore të specializuara.