Ulcerat peptike janë defekte ose dëmtime të mukozës së duodenit (pjesa fillestare e zorrës së hollë) ose të stomakut. Ato zhvillohen zakonisht kur mukoza nuk është më në gjendje të mbrohet nga dëmtimet agresive që shkakton acidi i stomakut. Ulcerat e duodenit janë më të shpeshta sesa ato të stomakut. Ulcerat e ezofagut janë dhe më të rralla krahasuar me ato të duodenit dhe stomakut.
Disa nga shkaqet kryesore të ulcerave janë:
- Helikobakter pilori.
- Holluesit e gjakut si aspirina dhe medikamente që përdoren kryesisht si qetësues të dhimbjes (ibuprofen, naproksen, voltaren etj ).
- Stresi psikologjik dhe situata të veçanta të stresit si: operacionet, traumat, djegiet etj.
- Gastriti kronik i patrajtuar.
- Prodhimi i lartë i acidit të stomakut.
- Konsumi i tepruar i ushqimeve të skuqura, i “fast-food-ve” dhe i atyre me shumë yndyrë.
- Konsumimi i duhanit, i kafesë dhe i alkoolit janë faktorë që rëndojnë ecurinë e sëmundjes.
Ankesat:
- Dhimbje në mesin e pjesës së sipërme të barkut – në lukth – e lidhur ose jo me marrjen e ushqimit, kjo në varësi të llojit të ulcerës.
- Dhimbje periodike – në sezone apo periudha të caktuara.
- Dhimbje ritmike – në orare të caktuara të ditës apo të natës.
- Urth.
- Intolerancë ndaj disa lloj ushqimesh.
- Ndjesi e të vjellit.
- Të vjella (në rast ndërlikimesh edhe me gjak).
- Rënie në peshë.
Diagnoza:
- Gastroskopia me ose pa biopsi – ekzaminimi më i saktë për të parë nga afër ezofagun, stomakun dhe duodenin.
- Ekografia abdominale – për të përjashtuar patologji të organeve përreth stomakut të cilat mund të kenë ankesa të njëjta.
- Analiza laboratorike:
- Gjak komplet, ferritinemi – për të parë nëse ka anemi.
- Antigeni fekal për helikobakter pilori.
- Feçe parazit.
Trajtimi:
- Me medikamente që frenojnë (PPI) ose reduktojnë (anti H2) prodhimin e acidit të stomakut.
- Me medikamente që neutralizojnë lëngjet e duodenit të cilat refluktojnë/kthehen në stomak.
- Me medikamente prokinetike për të rregulluar lëvizshmërinë e pjesës së sipërme të tubit tretës.
- Me medikamente antispastike nëse dhimbjet janë spastike.
- Me antibiotikë nëse është vërtetuar prania e helikobakter pilorit.
Kujdes!!! Në raste neglizhence në trajtim nga ana e pacientit, sëmundja ulceroze shkon drejt komplikacioneve të tilla si:
- Hemorragji e shoqëruar në disa raste me anemi të rëndë.
- Stenozë (ngushticë, pengesë).
- Perforacioni (çarja, plasaritja) e “murit” të stomakut ose e duodenit. Probleme të cilat kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale.
Trajtimi i kujdesshëm dhe në kohë i ulcerës mund t’i parandalojë këto komplikacione. Në asnjë rast nuk duhet neglizhuar shmangia e stresit, ushqyerja e shëndetshme, shmangia e medikamenteve kundra dhimbjes, të përmendura më lart.
Kujdes!!! Të vjellat me gjak të kuq të pastër, ato të ngjashme në përbërje me llumin e kafesë dhe/ose jashtëqitja me ngjyrë të zezë janë indikacione për një komplikacion serioz të ulcerës dhe paraqitja te mjeku gastrolog duhet bërë në mënyrë urgjente.
Parandalimi:
- Ushqimi në mënyrë të kujdesshme dhe joabuziv është thelbësor në parandalimin e të gjitha sëmundjeve të stomakut.
- Konsultat me mjekun gastrolog, që në momentet e para të ankesave, janë gjithashtu thelbësore për të shmangur përshkallëzimin e sëmundjeve të stomakut. Personat që kanë histori familjare me të sëmurë ulcerozë duhet të jenë akoma më të kujdesshëm në këtë pikë.
- Marrja pa kriter e medikamenteve, që përdoren për hollimin e gjakut dhe e qetësuesve të dhimbjes, mund të rrisë rrezikun e prekjes nga sëmundjet e stomakut.
- Stresi është gjithashtu faktor madhor rreziku për të gjitha sëmundjet e tubit tretës, duke përfshirë këtu edhe sëmundjet ulceroze.
KUJDES! Teksti në këtë faqe është shkurtuar dhe thjeshtësuar për t'u bërë më i kuptueshëm nga pacienti mesatar. Ai ka si qëllim informimin e publikut dhe nuk duhet në asnjë mënyrë të zëvendësojë konsultat mjekësore të specializuara.