Hepatiti B

 

Hepatiti B është një infeksion i shkaktuar nga virusi i Hepatitit B. Ky virus futet në organizëm nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë të gjakut ose nëpërmjet sekrecioneve nga një njeri i infektuar tek një njeri i shëndoshë. Hepatiti B ndahet në:

  • Hepatiti Akut, nga momenti i infektimit deri në gjashtë muaj.
  • Hepatiti Kronik, mbi gjashtë muaj nga momenti i infektimit. Kjo ndodh në rastet kur sistemi imunitar nuk arrin ta mposhtë infeksionin.
 

Hepatiti Kronik, i Tipit B mund të japë një sërë komplikacionesh afatgjata tek pacientët e prekur. Ato më të rëndësishmet janë:

  • Cirrozë e kompensuar ose e dekompensuar.
  • Kanceri i mëlçisë.
  • Dëmtimet e veshkave.
  • Dëmtimet e enëve të gjakut
 

Ankesat:

  • Humbje të oreksit.
  • Të përziera dhe/ose të vjella.
  • Ethe, temperaturë subfebrile (temperaturë të lehtë të trupit, nën 38°C).
  • Urinë me ngjyrë të errët.
  • Dhimbje kyçesh dhe muskujsh.
  • Zverdhje të syve dhe të Iëkurës.
  • Dhimbje në zonën e mëIçisë (në të djathtë, nën brinjë).
 

Diagnoza:

Hapi i parë është vizita gastro-hepatologjike (çdo gjashtë deri në dymbëdhjetë muaj nëse jeni pozitiv). Bazuar në ankesat, ecurinë e këtyre ankesave, historikun e jetës dhe historikun shëndetësor të familjes, mjeku specialist harton planin e ekzaminimeve laboratorike dhe instrumentale, për të vendosur shkallën e infeksionit dhe të inflamacionit.

Ekzaminime:

  • Ekografi abdominale.
  • Elastografi e mëIçisë.

Analiza:

  • Gjak komplet.
  • Urinë komplet.
  • SGOT, SGPT, GGT.
  • Bilirubinë totale, bilirubinë direkte.
  • INR, niveli i protrombinës.
  • Fibrinogjen, ALP.
  • Albuminemi, proteinë totale.
  • Azotemi, kreatinemi.
  • Glicemi, Hb1Ac..
  • Lipidogramë.
  • PCR, LDH.
  • Uricemi.
  • AgHBs, Anti HBc—IgM, AgHBe, Anti HBe.
  • HBV—DNA.
  • Anti HCV.
 

Trajtimi:

Hepatiti B është një sëmundje pothuajse e pashërueshme. Rastet e zhdukjes së plotë të kësaj sëmundje nga pacientët e prekur janë shumë të rralla. Trajtimi me medikamente antivirale mund të:

  • Parandalojë kalimin në cirrozë.
  • Ngadalësojë përparimin e cirrozës.
  • Reduktojë shfaqjen e kancerit dhe të përmirësojë mbijetesën afatgjatë.

Ruajta e një ekuilibri të shëndetshëm ushqimor dhe jetësor, duke shmangur alkoolin, duhanin, yndyrat shtazore dhe stresin është shumë i rëndësishëm për mbarëvajtjen afatgjatë të sëmundjes. Gjithashtu, duhen shmangur në maksimum medikamentet që dëmtojnë mëlçinë (p.sh Paracetamoli). Njoftoni çdo mjek tek i cili do të vizitoheni nëse vuani nga Hepatiti Kronik i Tipit B.

 

Parandalimi:

  • Vaksinimi është mënyra më e mirë që ju mbron në 95 % të rasteve.
  • Rekomandohet që të gjithë të porsalindurit, fëmijët dhe adoleshentët deri në moshën 18 vjeç të vaksinohen.
  • Vaksinimi rekomandohet edhe tek të gjithë të rriturit që kanë rrezik të lartë ndaj këtij infektimi.
  • Nëse nëna ka virusin e Hepatitit B, foshnja duhet të marrë një injeksion shtesë brenda 12 orëve të lindjes, për një mbrojtje më të mirë. Pas 9 muajve foshnja duhet të testohet për t’u siguruar nëse është e imunizuar ndaj Hepatitit B.

Kujdes!! Nëse keni virusin e Hepatitit B, ju duhet të jeni të përgjegjshëm për njerëzit që ju rrethojnë dhe të bëni maksimumin e kujdesit që ky virus të mos përhapet tek të tjerët. Për këtë arsye, nëse jeni mbartës i Hepatitit B, ju duhet të:

  • Siguroheni që njerëzit, të cilët janë në kontakt të ngushtë me ju, të jenë të vaksinuar.
  • Përdorni prezervativ gjatë kryerjes së marrëdhënieve seksuale.
  • Mos shkëmbeni furçat e dhëmbëve, brisqet ose gjëra të tjera të ngjashme sepse mbi të mund të ketë gjak, përfshi këtu dhe gjakun e thatë.
  • Mos lejoni që njerëzit e tjerë të prekin plagët tuaja, në qoftë se nuk kanë veshur doreza.
  • Mos ndani shiringa, age ose mjete të tjera të injektimit të drogës.
  • Mos dhuroni gjak, spermë, organe ose inde trupore.
  • Nëse jeni shtatzënë apo dëshironi të keni femijë , bisedoni me mjekun tuaj rreth vaksinimeve, për të cilat do të ketë nevojë fëmija juaj.
 

KUJDES! Teksti në këtë faqe është shkurtuar dhe thjeshtësuar për t'u bërë më i kuptueshem nga pacienti mesatar. Ai ka si qëllim informimin e publikut dhe nuk duhet në asnjë mënyrë të zëvendësojë konsultat mjekësore të specializuara.